Dy vite që ndryshuan SHSKUK-në: Dinamika e punës dhe transformimit 2018–2019

Planifikimi i ambulancave qendrore QKUK

Gjatë viteve 2018 dhe 2019, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Qendra Klinike Univerzitare (QKUK) dhe Spitalet e përgjithshme përjetuan një transformim rrënjësor në mënyrën se si funksiononin, menaxhoheshin dhe u shërbenin qytetarëve. Nën udhëheqjen e drejtorit të përgjithshëm, Dr. Basri Sejdiu, SHSKUK u shndërrua nga një strukturë e fragmentuar në një sistem të integruar, funksional dhe të matshëm në çdo hallkë. Ky transformim u mbështet në përkushtim, koordinim ndërinstitucional dhe përqendrim te rezultatet konkrete – në pacient, në staf, në infrastrukturë dhe në cilësinë e shërbimit.

2018 – Themeli i sistemit funksional

Viti 2018 shënoi vendosjen e bazave të sistemit modern spitalor. U miratua struktura e re organizative, u themelua grupi punues për sistematizim dhe rregullore të brendshme, duke përcaktuar për herë të parë përgjegjësitë ndërmjet klinikave, spitaleve rajonale dhe menaxhmentit qendror.

Në këtë periudhë u përfundua ndërtesa e re administrative dhe u zhvendos stafi menaxherial në hapësira të përbashkëta për koordinim më efikas.

U hartua Plani Operacional 2018–2019 dhe u vendosën mekanizmat e parë të raportimit financiar dhe të mbikëqyrjes buxhetore.

Një ndër zhvillimet më domethënëse ishte funksionalizimi i Klinikës Emergjente, pas një renovimi të plotë.

Në të njëjtën kohë, u arrit një hap historik për kardiologjinë – funksionalizimi 24-orësh i Klinikës së Kardiologjisë Invazive me stentim, që mundësoi trajtimin e infarktit akut të miokardit në çdo orë të ditës.

Në kuadër të këtij zhvillimi, u zbatua pilot-projekti për trajtimin e infarktit brenda dy orëve të para në nivel vendi, në bashkëpunim të ngushtë me kujdesin parësor shëndetësor.

Në të njëjtin vit, u hapën ambulanca të reja specialistike, përfshirë:


• Ambulancat e integruara specialistike, që bashkuan disiplina të ndryshme për diagnozë dhe trajtim të shpejtë (ortopedi, mjekësi fiizikale, te gjitha deget kirurgjike dhe te sëmundjeve të brendshme);


• Ambulancat e Neurologjisë, të fokusuara në diagnostifikim të shpejtë dhe të paisura me CT, MRI, EEG;


• Ambulancat e ORL-së dhe Oftalmologjisë, të pajisura me mikroskopë, videoendoskopi dhe sisteme të avancuara diagnostike.

Në aspektin e pajisjeve, u vendos një fokus i ri për të zënë hapin me kohën.

Përveç MRI-së së re, CT-skenerit dhe angiografit modern, çdo sallë kirurgjike u pajis me laparoskop për kirurgji minimal-invazive, ndërsa klinikat torakale, urologjike dhe gastroenterologjike u furnizuan me pajisje endoskopike torakale, endourologjike si dhe, gastroskop dhe kolonoskop të rinj.

Në total, u blenë dhjetëra ultrazëra, monitorë reanimimi dhe pajisje përcjellëse, përmes një procesi të hapur e me çmime reale, jo abuzive, duke kursyer fonde publike dhe ngritur standardin e kujdesit.

Në anën organizative, u ngrit Sektori i Teknologjisë së Informacionit, u përmirësuan uniformat, higjiena dhe siguria, si dhe u hodhën themelet për Programin e Përmirësimit të Cilësisë.

Vizitat e rregullta në spitalet e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Ferizajit dhe Gjilanit ndihmuan jo vetëm në unifikimin e praktikave menaxheriale dhe klinike në nivel kombëtar, por edhe në nisjen e proceseve të renovimeve infrastrukturore, blerjeve të pajisjeve mjekësore, reorganizimeve funksionale dhe sigurimit të furnizimit të rregullt me barna dhe materiale mjekësore.


2019 – Viti i konsolidimit dhe modernizimit

Në vitin 2019, SHSKUK hyri në fazën e konsolidimit të plotë institucional. U themeluan të gjitha Departamentet administrative, duke ndërtuar një strukturë të qëndrueshme organizative.

U zhvilluan rregullore të reja për orarin e punës, sistemin e vlerësimit të performancës, dhe procedurat e auditimit të brendshëm, që garantuan menaxhim efikas dhe të matshëm.

Në nivel klinik, u funksionalizuan 14 farmaci klinike, të lidhura me sistemin digjital (SMSF), duke siguruar gjurmueshmëri të plotë të barnave dhe reduktim të mungesave.

Në anën buxhetore, u krijua buxheti i veçantë për materiale dhe barna jashtë listës esenciale, që ndikoi drejtpërdrejt në reduktimin e referimeve në sektorin privat dhe rritjen e kapacitetit trajtues në sektorin publik.

Në kardiologji u shënua progres i jashtëzakonshëm:


• U përgatit plani për qendrën e dytë të kardiologjisë invazive në Spitalin e Prizrenit, duke decentralizuar shërbimin dhe rritur qasjen rajonale.

• U zgjeruan kapacitetet e Kardiokirurgjisë, me staf shtesë, pajisje të reja, salla operative shtesë dhe njësi të dyta të terapisë intensive.

• U hap Njësia e re Koronare me 24 shtretër, e pajisur me teknologji moderne për monitorim dhe trajtim të pacientëve në kujdes të avancuar.

Ne bashkepunim të klinikave te radiologjise dhe neurologjise, u krijua për herë të parë në Kosovë Strok Center-i, me ekip të trajnuar dhe realizimin e rasteve të para me sukses.

Një arritje tjetër ishte hapja e Mjekimit Intensiv Qendror modern, i përfituar si donacion nga Qeveria Turke, që përmirësoi ndjeshëm kapacitetet e kujdesit intensiv në nivel spitalor.

Në të njëjtën periudhë, Klinika e Reumatologjisë u zhvendos në hapësira të reja të përshtatura sipas standardeve bashkëkohore.

Në infrastrukturë, u përmbyllën renovimet në klinikat e ORL-së, Oftalmologjisë, Neurologjisë, Kirurgjisë Plastike, Logopedisë dhe Sterilizimit Qendror, ndërsa në ish hapësirat e ambulancave të sëmundjeve të brendshme u hap për herë të parë Klinika e Alergologjisë dhe Imunologjisë me 14 shtretër për pacienrtët e hospitalizuar.

U përgatitën projektet për spitalin e ri në Podujevë, kliniken e re të Ortopedisë, dhe u finalizuan qështjet e mbetura për kohe të gjate për Qendrën e Kirurgjisë Pediatrike (Sheikha Fatima Hospital).

Një ndër investimet që la gjurmë ishte rregullimi i parqeve dhe shtigjeve për ecje në stil anglez, duke krijuar hapësira të gjelbra dhe relaksuese për pacientët dhe stafin.

Një ndër ndërhyrjet që ndikoi dukshëm në funksionalitetin dhe qasjen e pacientëve ishte rregullimi i infrastrukturës së jashtme dhe sistemit të shenjëzimit brenda kompleksit të QKUK-së. U realizua shenjëzimi horizontal dhe vertikal i oborrit, rrugëve, klinikave dhe parkingjeve, me tabela orientuese, numërim të qartë të objekteve dhe sinjalistikë vizuale të unifikuar për pacientë dhe vizitorë. Në të njëjtën kohë, u bë shtrimi i rrugëve dhe korsive të brendshme, rregullimi i ndriçimit të jashtëm për siguri dhe funksionalitet gjatë natës, si dhe instalimi i sistemit të avancuar të kontrollit të trafikut me rampa automatike për hyrje dhe dalje.

Këto masa, së bashku me ndërtimin nga themelet të Parkingut Qendror me 400 vende, krijuan një rrjedhë të organizuar të qarkullimit, lehtësuan menaxhimin e emergjencave dhe e bënë hapësirën spitalore më të sigurt, funksionale dhe të qasshme për pacientët, stafin dhe vizitorët.

Në fund të vitit, u vendos sistemi i vlerësimit të drejtorëve të klinikave sipas indikatorëve të performancës, dhe u finalizua Strategjia 2019–2023 për zhvillimin e SHSKUK-së.

Në bashkëpunim me ICME Healthcare (Austri) u zhvillua modeli matricor i menaxhimit, që ndan qartë funksionet klinike dhe administrative, dhe u përgatit trajnimi i 100 menaxherëve për drejtim spitalor modern.

Gjithashtu, u forcua bashkëpunimi me World Bank, EIB, SUEZ dhe shumë univerzitete spitalore dhe u zhvilluan vizita studimore ndërkombëtare për zhvillimin profesional të stafit klinik dhe menaxherial.

U operativizua Programi për Përmirësimin e Cilësisë (Quality Improvement Program) dhe Sektori i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Punë, me trajnime për menaxhimin e emergjencave dhe sigurinë në sallat kirurgjikale.

Përfundim

Vitet 2018–2019 përfaqësojnë periudhën më intensive dhe produktive të reformës në sistemin spitalor publik të Kosovës. Në vetëm dy vite, SHSKUK kaloi nga improvizimi në funksionim të plotë, nga fragmentimi në koordinim dhe nga rutinë administrative në sistem efikas me rezultate të matshme.

Urgjenca funksionale, kardiologjia 24-orëshe, aparaturat endoskopike, klinikat moderne, parqet e rregulluara, parkingu 400-vendësh, farmacitë klinike dhe furnizimi i bollshëm me barna, materiale dhe paisje, janë dëshmi konkrete të këtij transformimi.

SHSKUK doli nga kjo periudhë si një institucion bashkëkohor, transparent dhe i konsoliduar, që vendosi standarde të reja për kujdesin publik shëndetësor në Kosovë.

 

Nga Driton Ukmata – Këshilltar  për Menaxhim Spitalor pranë SHSKUK (2018-2020)