Në vitin 2001, u ndërmor një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të arsimit profesional në fushën e rehabilitimit, përmes themelimit të Programit në Fizioterapi në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë. Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj një nevoje të madhe për profesionistë të kualifikuar në mjekësinë fizikale dhe rehabilitim, veçanërisht në periudhën e pasluftës.
Inicimi i këtij procesi u bë nga Handicap International (Francë), organizatë me përvojë të gjatë në sektorin e rehabilitimit dhe ndërtimit të kapaciteteve në vende të pas-konfliktit. Në atë kohë, pata privilegjin të jem pjesë e këtij procesi që solli një prej iniciativave më të qëndrueshme në zhvillimin profesional shëndetësor në vend.
Projekti u konkretizua në vitin 2001 përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes tre institucioneve kryesore ndërkombëtare:
– Handicap International, si iniciator dhe koordinator teknik i procesit,
– Queen’s University / ICACBR (Kanada), si partner akademik dhe kontribuues financiar përmes Agjencisë Kanadeze për Zhvillim Ndërkombëtar (CIDA),
– Institut Français de Masso-Kinésithérapie i Limoges (Croix Rouge Française), si partner pedagogjik me përvojë shumëvjeçare në trajnim profesional.
Në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, UNMIK-un dhe partnerët ndërkombëtarë, u krijua një grup punues i përbashkët për planifikimin e strukturës akademike dhe përmbajtjes së programit.
Kontributet ndërkombëtare
– Universiteti i Limoges-it, përmes drejtorit të IFMK, Michel Laot, realizoi një vlerësim të detajuar të fizibilitetit dhe dha rekomandime për strukturën kurrikulare dhe praktikat mësimore. Ai sugjeroi një program trevjeçar me ndarje të balancuar ndërmjet orëve teorike dhe praktikës klinike, si dhe përfshirjen e lokacioneve të shumta për zhvillimin e mësimit praktik. Një koordinator francez parashihej të angazhohej përgjatë katër viteve për mbikëqyrje dhe harmonizim pedagogjik.
– Queen’s University / ICACBR, me përkrahje nga CIDA, nën udhëheqjen e profesorit Malcolm Peat, luajti rol kyç në përgatitjen e kurrikulës, trajnimin e ligjëruesve vendorë dhe ofrimin e asistencës akademike. Një grup i përzgjedhur i ligjëruesve nga Kosova mori pjesë në një trajnim 8-javor në Kanada dhe më vonë kontribuoi në implementimin e mësimdhënies në vend.
Programi u hap zyrtarisht në tetor 2001 dhe përfaqësonte për herë të parë një strukturë të standardizuar për edukimin profesional në fizioterapi në Kosovë. Ai u menaxhua në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë dhe u mbështet nga një rrjet qendrash klinike për realizimin e praktikës profesionale.
Gjatë gjithë këtij procesi, ekipi i Handicap International në Kosovë kishte rol koordinues dhe lehtësues, duke ndërmjetësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, si dhe duke siguruar mbështetje teknike e logjistike për zbatimin e suksesshëm të projektit.
Gjenerata e para te fizioterapeutëve të diplomuar nga ky program u bëne pjesë e rëndësishme e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke kontribuar në rehabilitim klinik, mjekësi fizikale, arsimin e lartë dhe avokimin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Sot, mbi dy dekada më vonë, ndikimi i kësaj nisme vazhdon të jetë i dukshëm – si në cilësinë e shërbimeve rehabilituese, ashtu edhe në përforcimin e profilit profesional të fizioterapisë si disiplinë në Kosove.
Driton Ukmata
Drejtor i Handicap International në Kosovë (2000–2003)

